Përfaqësues të Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës morën pjesë në vizitën studimore dhe trajnimin treditor të organizuar në Arnhem, Holandë, në kuadër të projektit Erasmus+ MEDIATOR – Modernizing Education with Dispute Intervention and Training for Occupational Readiness.
Trajnimi u organizua nga Netherlands Business Academy (NLBA) dhe mblodhi partnerët e projektit nga Kosova, Shqipëria, Holanda, Italia dhe Letonia duke ofruar një platformë për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e ndërmjetësimit.
Projekti MEDIATOR synon integrimin e ndërmjetësimit në arsimin e lartë dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në këtë fushë përmes zhvillimit të programeve universitare, krijimit të qendrave të ndërmjetësimit dhe ngritjes së kapaciteteve të stafit akademik.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi modelet evropiane të edukimit në ndërmjetësim, zhvillimin e kurrikulave moderne, metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe mënyrat e ndërlidhjes së njohurive teorike me aftësitë praktike profesionale. Programi përfshiu ligjërata, punë në grupe, diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash ndërmjet institucioneve partnere.
Vizita studimore kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimin e aktiviteteve të ardhshme të projektit, me qëllim të avancimit të edukimit në fushën e ndërmjetësimit dhe përgatitjes së profesionistëve të rinj me njohuri dhe kompetenca të specializuara.
Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë zhvillimin profesional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe avancimin e ndërmjetësimit në përputhje me standardet më të mira evropiane.







