Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës

Bordi

BORDI I ODËS SË NDËRMJETËSUESVE TË KOSOVËS

Bordi i ONDK ka autorizimet dhe përgjegjësitë në vijim:

  • propozon ndryshimet dhe plotësimet në Statut për të cilat vendos Kuvendi;
  • thirr mbledhjen e rregullt apo të jashtëzakonshme të Kuvendit sipas Statutit;
  • ushtron kontrollin financiar të ONDK;
  • miraton propozimin e projekt-buxhetit vjetor të ONDK për t’a dërguar në Kuvend;
  • përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të plotësohen nga kandidati i cili emërohet në detyrën e Kryetarit/es të Bordit;
  • përcakton procedurën përkatëse sipas të cilës do të emërohet Kryetari/ja;
  • përcakton mandatin e Kryetarit/es të Bordit dhe cakton lartësinë e kompenzimit simbolik të Kryetarit/es të ONDK për të cilën njofton Kuvendin, Kryetari/ja i Bordit në emër të ONDK nënshkruan kontratën e punës me Kryetarin/en e ONDK;
  • miraton strukturën organizative të ONDK;
  • miraton udhëtimet zyrtare të Kryetarit/es të ONDK, Bordit dhe anëtarëve të tjerë të ONDK;
  • miraton themelimin e komiteteve dhe grupeve punuese profesionale (qoftë ato të përhershme apo ad hoc);
  • miraton vendimin për caktimin e shpërblimit mbi punën e komiteteve dhe grupeve punuese profesionale të cekura si më lartë;
  • shqyrton çështjet e parregullsive lidhur me ONDK të raportuara në ONDK nga çfarëdo pale;
  • merr iniciativa për të përmirësuar proceset e punës në ONDK, duke pasur rol proaktiv dhe bashkëpunues si me palë të treta ashtu edhe me Kuvendin, duke e mbështetur këtë të fundit në përpjekjet e promovimit të agjendave të ONDK, por edhe duke e përcjellë me kujdes kryerjen e detyrave që i kanë ngarkuar organet e ONDK;
  • kryen punë tjera për të cilat autorizohet në bazë të Statutit apo punë tjera për të cilat mund t’i caktohen nga Kuvendi i ONDK.

Kuvendi zgjedh anëtarët e Bordit me shumicën e votave të anëtarëve prezent. Bordi përbëhet nga shtatë (7) anëtarë që vijnë apo përfaqësojnë gjithsej 7 (shtatë) rajonet e Republikës së Kosovës që përfshijnë:

  • Prishtinën
  • Mitrovicën
  • Pejën
  • Prizrenin
  • Ferizajin
  • Gjilanin
  • Gjakovën

Kryetari/ja i/e ONDK është anëtar/e i/e Bordit sipas detyrës zyrtare pa të drejtë vote.

Kryetari/ja i/e Bordit zgjidhet në mbledhjen e rregullt të Bordit, me shumicën e votave të anëtarëve të Bordit. Ai/ajo e zëvendëson Kryetarin/en e Odës në mungesë të tij. Mandati i anëtarëve të Bordit është dy (2) vite me mundësi rizgjedhje.

Kryetari/ja i/e dhe anëtarët e Bordit mund të shkarkohen para skadimit të mandatit, me shumicën e votave në Kuvend në këto raste:

  • me kërkesën e Kryetarit/es ose anëtarit/es së Bordit;
  • në rast të vdekjes së Kryetarit/es ose anëtarit/es së Bordit;
  • po që se pa arsye nuk merr pjesë më shumë se tre herë në mbledhjet e Bordit;
  • nëse nuk zbaton aktet e ONDK, vendimet e Bordit dhe/apo Kuvendit;
  • nuk punon në pajtim me dispozitat ligjore, nuk i respekton dispozitat e Statutit, vendimet e Bordit dhe/apo Kuvendit, dhe të njëjtit nuk zbaton apo i zbaton jashtë kohës së përcaktuar dhe në kundërshtim me nxjerrjen e tyre, përveç nëse janë në kundërshtim me ligjet;
  • po që se nuk i paraqet me kohë raportet e parapara në Statut apo në kërkesa të Bordit dhe/apo Kuvendit;
  • nëse me punën e tyre, shkaktojnë dëm material apo reputacional për ONDK apo anëtarët e saj;
  • nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë dënohet për vepër penale me dënim pakusht me burg mbi gjashtë muaj, apo i është shqiptuar dënimi i ndalimit për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësuesit/es;
  • nëse i është shqiptuar masë disiplinore e formës së prerë nga Ministria e Drejtësisë për revokim apo suspendim/pezullim të licencës;
  • po që se Bordi dhe/apo Kuvendi konstaton se rezultatet e punës së tij/saj nuk janë të kënaqshme;
  • për shkak të tejkalimit të autorizimeve zyrtare apo keqpërdorimit të detyrës;
  • në rastet e parapara me ligjin e aplikueshëm.

Në rast të ndërprerjes së mandatit të Kryetarit/es të Bordit ose anëtarit/es së Bordit, Kuvendi zgjedh Kryetarin/en e Bordit ose anëtarin/en i/e ri, me mandat për periudhën e mbetur të mandatit në fjalë.

Bordi mban mbledhje të rregullta çdo tre muaj. Mbledhjet e Bordit i cakton Kryetari/ja i/e Bordit edhe me kërkesën e secilit anëtar/s të Bordit dhe/apo Kryetarit/es së Bordit, përmes formës së shkruar drejtuar anëtarëve të Bordit. Mbledhjet e Bordit janë të vlefshme kur në të janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Bordit (kuorumi). Nëse kuorumi nuk arrihet, mbledhja shtyhet për një ditë tjetër të përcaktuar më vonë dhe lajmërimi i ri do t’iu dërgohet të gjithë anëtarëve. Secili/a anëtar/e ka një votë në Bord.

Vendimet në Bord miratohen me shumicën e votave të anëtarëve në mbledhje, po që se me Statut nuk është paraparë ndryshe. Në rast të votave të barabarta, vota e Kryetarit/es së Bordit ka përparësi. Vendimi i Bordit është i plotfuqishëm pas nënshkrimit nga ana e Kryetarit/es së Bordit dhe kalimit të afatit kohor prej pesë (5) ditëve nga dita e miratimit të vendimit, sipas përcaktimeve me Statut. Secili/a anëtar/e duhet abstenojë nga votimi apo miratimi i vendimit në çfarëdo çështje për të cilën ai/ajo ka interes personal ose ekonomik.

Bordi, për secilin vit duhet të dërgojë për miratim Kuvendit, planin e punës dhe financiar për vitin paraprak si dhe planin e punës dhe financiar për vitin vijues. Mënyra më e detajuar e funksionimit të Bordit duhet të përcaktohet me rregulloren e punës së Bordit të miratuar nga Kuvendi.

 

Më 02 nëntor 2019, Ministria e Drejtësisë organizoi për herë të parë Kuvendin e Themelimit të Odës së Ndërmjetësuesve, ndërsa më 17 nëntor u themelua Oda e Ndërmjetësuesve të Republikës së Kosovës në mbledhjen e Kuvendit të Ndërmjetësuesve të Kosovës, ku u zgjedhën edhe organet e para të Odës:

  • Faton Morina, Kryetar
  • Adelina Bojaxhiu Sopi, Përfaqësuese e Bordit të Rajonit të Prishtinës
  • Ganimete Xhelili, Përfaqësuese e Rajonit të Gjilanit
  • Shtjefën Kajtazi, Përfaqësues i Rajonit të Gjakovës
  • Haxhi Ibërdemaj, Përfaqësues i Rajonit të Pejës
  • Shaban Rexha, Përfaqësues i Rajonit të Ferizaj
  • Edmond Kumnova, Përfaqësues i Rajonit të Mitrovicës
  • Baki Morina, Përfaqësues i Rajonit të Prizrenit

Më 18 dhjetor 2021 u mbajt Kuvendi II (i dytë) i ONDK ku u zgjedhen organet e reja, kryetarja dhe 7 anëtarë të bordit, përfaqësues/e të rajoneve:

  • Ganimete Xhelili, Kryetare
  • Nexhip Sheholli, Përfaqësues i Bordit të Rajonit të Prishtinës
  • Ruzhdi Gagica, Përfaqësues i Rajonit të Gjilanit
  • Shtjefën Kajtazi, Përfaqësues i Rajonit të Gjakovës
  • Haxhi Ibërdemaj, Përfaqësues i Rajonit të Pejës
  • Shaban Rexha, Përfaqësues i Rajonit të Ferizaj
  • Mentor Boja, Përfaqësues i Rajonit të Mitrovicës
  • Baki Morina, Përfaqësues i Rajonit të Prizrenit

Tani në vitin 2022, në Kosovë ka 189/190 ndërmjetësues/e të regjistruar dhe licencuar dhe prej tyre 95 janë pjesë, anëtarë të ONDK-së.