Sarajevë, 14 nëntor 2024 – Në konferencën e organizuar nga CSSP Berlin Center for Integrative Mediation, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, me mbështetjen e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, morën pjesë përfaqësues nga Bosnja, Kosova, Shqipëria ,Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Turqia dhe Gjermania.
Fokusi i konferencës ishte fuqizimi i kuadrit ligjor dhe institucional për ndërmjetësimin dhe rritja e rasteve të ndërmjetësuara si mjet për përshpejtimin e integrimit evropian.
Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ganimete Xhelili, përfaqësoi Kosovën në konferencë, duke theksuar rolin kyç të Odës në promovimin dhe fuqizimin e ndërmjetësimit si një mekanizëm efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ajo theksoi sukseset e ndërmjetësimit dhe ndikimin pozitiv të ndërmjetësuesve profesionalë në zgjidhjen e rasteve, si dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial. Po ashtu, Xhelili theksoi mbështetjen e rëndësishme të donatorëve ndërkombëtarë për ngritjen e standardeve profesionale dhe përmirësimin e qasjes në ndërmjetësim, ndërkohë që përmendi sfidat, përpjekjet për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe fuqizimin e mekanizmave institucionalë.
Gjithashtu në konferencë morën pjesë Adnan Konushevci dhe Bujar Ahmeti, gjyqtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi rëndësinë e promovimit të ndërmjetësimit në sistemin gjyqësor, duke theksuar ndikimin e tij në uljen e ngarkesës në gjykata dhe ofrimin e zgjidhjeve paqësore përmes dialogut, si dhe shprehën përkrahjen e plotë për këtë proces. Po ashtu, përfaqësuesit e CSSP në Kosovë, Bekim Ismaili dhe Bérangère Dailly, ndanë perspektiva mbi mbështetjen që organizata ka ofruar për fuqizimin e ndërmjetësimit në Kosovë dhe rajon.
Pjesëmarrja e Kryetares së Odës dhe përfaqësuesve të tjerë nga Kosova ofroi një mundësi të rëndësishme për të ndarë përvojat dhe forcuar bashkëpunimin rajonal në promovimin e ndërmjetësimit si mjet kyç për zgjidhjen e konflikteve dhe avancimin e integrimit evropian.