Pejë, 27 maj 2024 – Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONDK), Ganimete Xhelili, dhe Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”(UHZ) në Pejë, Prof. Dr. Armand Krasniqi, kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me rëndësi të veçantë. Kjo marrëveshje synon të nxisë dhe të promovojë ndërmjetësimin si një instrument esencial për zgjidhjen e konflikteve civile, tregtare, familjare dhe penale.
Palët theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për sensibilizimin dhe afirmimin e përparësive të zgjidhjes së kontesteve përmes ndërmjetësimit, duke e konsideruar atë si një alternativë efikase ndaj procedurave gjyqësore të zgjatura dhe të kushtueshme.
Sipas kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet do të koordinojnë aktivitetet për të ofruar mundësi praktikash dhe vizita studimore për studentët e Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’(UHZ) pranë Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONDK). Përveç kësaj, ndërmjetësuesit do të prezantojnë tema të veçanta nga fusha e ndërmjetësimit për studentët e Universitetit “Haxhi Zeka”, duke përfshirë trajnime dhe ligjërata specifike që lidhen me praktikën e ndërmjetësimit në Republikën e Kosovës.
Marrëveshja gjithashtu parashikon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta profesionale, si ligjërata dhe debate, me qëllim të shkëmbimit të praktikave më të mira dhe rritjes së cilësisë së studimeve për studentët e këtij universiteti. Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të njohurive dhe aftësive të studentëve në fushën e ndërmjetësimit.