Më 27 shtator 2024, u mbajt një sesion informues për ndërmjetësimin, i organizuar nga Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ministria e Drejtësisë, dhe OJQ Nevo Koncepti, me mbështetjen e Programit të USAID – Drejtësia Komerciale. Qëllimi i këtij sesioni ishte t’i informonte nga afër komunitetet joshumicë në Kosovë – komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian – rreth procedurës së ndërmjetësimit, përfitimeve dhe lehtësirave që ky proces mund t’u sjellë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Pjesëmarrësit kyç në këtë sesion përfshinë:
Chris Thompson, Drejtor i Programit për Drejtësi Komerciale
Elbert Krasniqi, Ministër i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës
Arijeta Hoti Haxhiajdini, Ndërmjetësuese e licencuar dhe anëtare e bordit në Odën e Ndërmjetësuesve
Ky sesion shërbeu si aktiviteti përmbyllës i Javës së Ndërmjetësimit, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e ndërmjetësimit si një mekanizëm alternativ, të shpejtë dhe më të përballueshëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke shmangur procedurat e gjata gjyqësore. Kjo qasje mund të jetë veçanërisht e dobishme për komunitetet joshumicë, duke ofruar një rrugë më të drejtë dhe të shpejtë për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhohen në diskutime të hapura dhe të mësojnë më shumë rreth përfitimeve që mund të sjellë ndërmjetësimi në jetën e përditshme.
Edhe pse Java e Ndërmjetësimit ka përfunduar, Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e saj përgjatë gjithë vitit, sipas planifikimeve të saj.