Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës

Historiku

HISTORIKU

Ndërmjetësimi është procedurë (metodë) alternative e zgjidhjes së kontesteve apo mosmarrëveshjeve, veprimtari jashtëgjyqësore e rregulluar tani me Ligjin Nr 06/L-009 për Ndërmjetësim, qё zhvillohet vullnetarisht nga dy apo më shumë palë në konflikt me ndihmën e një apo më shumë ndërmjetësuesëve. Është procedurë apo aktivitet i specializuar më i shpejtë, më i lehtë dhe i lirë se procedurat gjyqësore. Ndërmjetësuesi/ja është një person i tretë, i paanshëm, i/e licencuar nga Ministria e Drejtësisë, që është i/e përzgjedhur të ndërmjetësojë në mes të palëve më qëllim të zgjidhjes së kontesteve apo mosmarrëveshjeve që ato kanë, në pajtim me parimet dhe rregullat e ndërmjetësimit, të përcaktuara me ligjin si më lartë dhe aktet tjera përcjellëse nënligjore.

Në vitin 2008 për herë të parë në Republikën e Kosovës u aprovua Ligji i parë për Ndërmjetësim (Nr 03/L-057) duke vënë bazat e para të institucionalizimit të ndërmjetësimit si procedurë në Kosovë. Në periudhën para kësaj dhe më pas në fillimet e saj, implementimi i kësaj procedure dhe qasja praktike në të u përkrah nga donator dhe partner zhvillimor të ndryshëm si Partners Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve, Agjensioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Kosovë (OSBE), Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP), Bashkimi Europian në Kosovë (BE), CSSP Qendrën e Berlinit për Ndërmjetësim Integrues (CSSP) dhe Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC – MCM). Një numër i këtyre akterve si USAID, INL, ADRC – MCM vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe mbështesin ndërmjetësimin në Kosovë.

Qendrat e para të Ndërmjetësimit në Kosovë (si mekanizma apo struktura që funksionalizojnë ndërmjetësimin dhe bëjnë qasjen praktike në të, organizojnë dhe administrojnë referimin/pranimin e rasteve nga gjykatat dhe prokuroritë dhe vendosin proceset shoqëruese në vend, mundësojnë ndërmjetësimin privat/jashtë gjykatës dhe mbledhin ndërmjetësuesit nën ombrella rajonale të cilët zhvillojnë dhe bëjnë ndërmjetësimin) u hapën në 2011 dhe 2012 në Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Gjilan dhe më pas në Prishtinë dhe Mitrovicë në vitin 2013 dhe Prizren në 2014.

Ndërsa, ndërmjetësuesit e parë në Kosovë janë licencuar në 2011 nga Ministria e Drejtësisë, gjenerata e dytë në 2014 dhe e fundit të licencuar në vitin 2017. Trajnimi i tyre u mbështet kryesisht nga akterë vendorë dhe ndërkombëtar (USAID dhe ADRC – MCM, EU, UNDP, CSSP, Partners Kosova) në bashkëpunim me Komisionin për Ndërmjetësim. Ata/o u certifikuan nga Komisioni për Ndërmjetësim dhe u licencuan nga Ministria e Drejtësisë. Tani, në Kosovë ka, sipas Regjistrit të Ndërmjetësuesve të Kosovës të vitit 2017, 189 ndërmjetësues/e të regjistruar dhe licencuar.

Me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së ndërmjetësimit në Kosovë dhe në pritje të një ligji të ri të ndërmjetësimit në vend, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës filluan në vitin 2017 dhe 2018 të caktojnë zyrtarë përgjegjës brenda gjykatave dhe prokurorive për t’u marrë me ndërmjetësimin e referuar nga gjykatat dhe prokuroritë. Kështu, kjo shënon edhe fillimin e kalimit të punës së ndërmjetësimit nga qendrat në gjykata dhe prokurori.

Ligji i ri Nr 06/L-009 për Ndërmjetësim ka hyrë në fuqi në vitin 2018, duke sjellë risi dhe reforma në procedurë si dispozitat për integrimin e ndërmjetësimit në gjykata dhe prokurori përmes zyrtarëve për ndërmjetësim dhe hapësirave të dedikuara për ndërmjetësim brenda këtyre institutcioneve, për ndërmjetësimin e detyrueshëm, ndërmjetësimin online, themelimin e Odës së Ndërmjetësuesve,  ekzekutueshmërinë e marrëveshjeve të arritura në procedurë të ndërmjetësimit (në mënyrë specifike atyre të arritura në procedurën e ndërmjetësimit me vetë-inicim të palëve). Tani, ndërmjetësimi zhvillohet në bazë të këtij ligji të ri të ndërmjetësimit dhe akteve tjera nënligjore që kanë hyrë në fuqi në periudhën 2019 – 2021.

Më 02 nëntor 2019, Ministria e Drejtësisë organizoi për herë të parë Kuvendin e Themelimit të Odës së Ndërmjetësuesve, ndërsa më 17 nëntor u themelua Oda e Ndërmjetësuesve të Republikës së Kosovës në mbledhjen e Kuvendit të Ndërmjetësuesve të Kosovës, ku u zgjedhën edhe organet e para të Odës:

  • Faton Morina, Kryetar
  • Adelina Bojaxhiu Sopi, Përfaqësuese e Bordit të Rajonit të Prishtinës
  • Ganimete Xhelili, Përfaqësuese e Rajonit të Gjilanit
  • Shtjefën Kajtazi, Përfaqësues i Rajonit të Gjakovës
  • Haxhi Ibërdemaj, Përfaqësues i Rajonit të Pejës
  • Shaban Rexha, Përfaqësues i Rajonit të Ferizaj
  • Edmond Kumnova, Përfaqësues i Rajonit të Mitrovicës
  • Baki Morina, Përfaqësues i Rajonit të Prizrenit

Më 18 dhjetor 2021 u mbajt Kuvendi II (i dytë) i ONDK ku u zgjedhen organet e reja, kryetarja dhe 7 anëtarë të bordit, përfaqësues/e të rajoneve:

  • Ganimete Xhelili, Kryetare
  • Nexhip Sheholli, Përfaqësues i Bordit të Rajonit të Prishtinës
  • Ruzhdi Gagica, Përfaqësues i Rajonit të Gjilanit
  • Shtjefën Kajtazi, Përfaqësues i Rajonit të Gjakovës
  • Haxhi Ibërdemaj, Përfaqësues i Rajonit të Pejës
  • Shaban Rexha, Përfaqësues i Rajonit të Ferizaj
  • Mentor Boja, Përfaqësues i Rajonit të Mitrovicës
  • Baki Morina, Përfaqësues i Rajonit të Prizrenit

Më 24 Shkurt 2024 u mbajt Kuvendi III (i tretë) zgjedhor i ONDK ku u zgjedhen organet e reja, rizgjedhet kryetarja dhe 7 anëtarë të bordit, përfaqësues/e të rajoneve:

  • Ganimete Xhelili, Kryetare
  • Anita Kosumi, Përfaqësuese e Bordit të Rajonit të Prishtinës
  • Hidajete Ismaili, Përfaqësuese e Rajonit të Gjilanit
  • Nora Dobruna, Përfaqësuese e Rajonit të Gjakovës
  • Shkelzen Dreshaj, Përfaqësues i Rajonit të Pejës
  • Teuta Bajrami, Përfaqësuese e Rajonit të Ferizaj
  • Edmond Kumnova, Përfaqësues i Rajonit të Mitrovicës
  • Arijeta Hoti Haxhiajdini, Përfaqësuese e Rajonit të Prizrenit
 

MISIONI

Përfaqësimi, koordinimi dhe zhvillimi i veprimtarisë së ndërmjetësimit në Republikën e Kosovës, të cilën veprimtari e kryejnë ndërmjetësuesit e licencuar me autorizime publike në pajtim me Ligjin Nr 06/L-009 për Ndërmjetësim dhe aktet nënligjore që rrjedhin nga ky ligj.

Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës poashtu ka për mision që të zhvillojë dhe udhëheqë profesionin e ndërmjetësuesit/es drejt afirmimit të tij/saj si profesion i besueshëm që ofron shërbime publike shumë të nevojshme dhe të vlefshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

VIZIONI

Ndërmjetësimi si mekanizëm i besueshëm ligjor i zgjidhjes alternative te mosmarrëveshjeve dhe shërbime të larta cilësore dhe profesionale të ndërmjetësimit të Kosovë të zhvilluara përmes aktiviteteve që promovojnë këtë mekanizëm dhe mbrojnë, aftësojnë dhe avancojnë ndërmjetësuesit në vend.