Tiranë, 26 nëntor 2024 – Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ganimete Xhelili, dhe Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësuesve të Shqipërisë, Drita Avdyli, nënshkruan Marrëveshjen Teknike për njohjen e licencave të ndërmjetësuesve.
Me këtë rast, Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja, dhe Ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, theksuan rolin jetik të ndërmjetësimit në mbështetje të sistemeve të drejtësisë.
Ceremonia u mbajt në Zyrën e Kryeministrit, COD – Qendra për Hapje dhe Dialog në Tiranë, me praninë e shumë mysafirëve të shquar, përfshirë Zëvendësministrin e Drejtësisë në Shqipëri, Klajd Karameta, Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, Drejtorin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Ergys Qirici, Kreun e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit për Zhvillim të Austrisë me bazë në Tiranë, David Muckenhuber, si dhe ndërmjetësues nga të dy vendet.
Ceremonia u organizua nga projekti “Zgjerimi dhe Fuqizimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri,” i zbatuar nga CSSP në partneritet me Odën Kombëtare të Ndërmjetësuesve të Shqipërisë, Fondacionin Shqiptar për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Ministrinë e Drejtësisë, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim.
Kjo marrëveshje përbën një moment historik për zhvillimin e ndërmjetësimit në rajon, duke shënuar hapin e parë drejt krijimit të standardeve të përbashkëta dhe lehtësimit të ushtrimit të këtij profesioni në të dy vendet.
Përkushtimi dhe vizioni i kryetareve Xhelili dhe Avdyli për këtë finalizim janë dëshmi e vullnetit të tyre për të nxitur iniciativa të reja bashkëpunimi që forcojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar kështu në fuqizimin e ndërmjetësimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
