Mitrovicë, 19 prill 2023 – Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONDK), znj. Ganimete Xhelili dhe Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. assoc. dr. Islam Qerimi, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi nga pala e ONDK ishte edhe anëtari i Bordit, z. Mentor Boja, ndërsa nga pala e Fakultetit Juridik ishin prof. ass. dr. Arbnor Ajeti dhe prof. ass. Dr. Benik Murati!
Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi, mbështetja dhe bashkërendimi i aktiviteteve në mes të ONDK dhe Fakultetit Juridik. Meqenëse ndërmjetësimi si proces, por dhe si instrument është i rëndësisëm për trajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve civile, tregtare, familjare dhe penale, ky memorandum synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të këtyre çështjeve që janë me interes reciprok. Palët konstatuan rolin dhe rëndësin e këtij memorandumi në faktin e sensibilizimit të përparësisë dhe afirmimit të zgjidhjes së kontesteve ndërmjet palëve në procedurë gjyqësore. Ata këtë memorandum e favorizonë edhe për shkak se instrumentet ndërkombëtare dhe eksperienca ndërmjetësuese e vërtetojnë se për dallim nga gjyqtari në një proces gjyqësor dhe arbitri në një proces arbitrazhi, ndërmjetësi ka autoritet në menaxhimin e gjithë procesit të ndërmjetësimit, por nuk ka autoritet të marrë vendime jashtë vullnetit të palëve të përfshira në konflikt.
ONDK dhe Fakulteti Juridik sipas këtij memorandumi do të bashkërendojnë aktivitetet në sferën e bashkëpunimit për mundësinë e mbajtjes së praktikës dhe vizitave studimore për studentët e Fakultetit Juridik në Odën e Ndërmjetësuesve te Kosovës (ONDK) dhe prezantimi i temave në fushën e ndërmjetësimit nga ana e ndërmjetësuesve para studentëve të Universitetit të Mitrovicës, për trajnime e tema të veçanta që ndërlidhën me fushën e ndërmjetesimit në Republikën e Kosovës. Fokus i veçantë i këtij memorandumi është organizimi i aktiviteteve të përbashkëta profesionale (ligjërata/debate) me qëllim të shkëmbimit të praktikave në drejtim të rritjes së cilësisë së studimit për studentët e Fakultetit Juridik dhe informimit e promovimit të procesit të ndërmjetësimit. Për implementimin e konferencave / debateve / simpoziumeve, Univeristeti “Isa Boletini”në Mitrovicë, do t’i vë në dispozicion të ONDK pa kompensim klasat dhe ambientet e tjera.