Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës është partnere në projektin ndërkombëtar MEDIATOR, pjesë e programit Erasmus+ CBHE, i cili synon integrimin e ndërmjetësimit në arsimin e lartë, zhvillimin e moduleve moderne akademike, ngritjen e kapaciteteve profesionale të studentëve dhe stafit, si dhe krijimin e qendrave funksionale të ndërmjetësimit në universitete.
Partnerët në këtë projekt janë institucione nga Kosova, Shqipëria, Italia, Letonia dhe Holanda, përfshirë universitete publike dhe private, oda të ndërmjetësimit dhe akademi ndërkombëtare.
Gjatë dy ditëve të takimit hapës, të mbajtur në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ganimete Xhelili, ishte e pranishme si partnere e projektit. Ajo theksoi rëndësinë e këtij projekti për standardizimin e praktikave të ndërmjetësimit, forcimin e rolit profesional të ndërmjetësuesve dhe afrimin e modeleve evropiane në institucionet akademike të vendit.
Oda mbetet e përkushtuar për të kontribuar aktivisht në realizimin e objektivave të projektit MEDIATOR.




