Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës

Përmbyllja e Javës së Ndërmjetësimit në Kosovë dhe shënimi i Ditës së Ndërmjetësimit

Prishtinë, 25 shtator 2026 – Me një ngjarje rrjetizuese me përfaqësues të institucioneve, profesionistë, ndërmjetësues dhe partnerë të fushës, përmbyllëm Javën e Ndërmjetësimit në Kosovë dhe shënuam Ditën e Ndërmjetësimit.

Në këtë ngjarje, fjalë rasti mbajtën Zejnulla Gashi, Kryeprokuror i Shtetit; Genc Nimoni, Zëvendësministër i Drejtësisë; Rrustem Thaqi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës; Ganimete Xhelili, Kryetare e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës; Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve të Shqipërisë; si dhe Bekim Ismaili, përfaqësues i CSSP-së.

Në fjalët e tyre u përcoll një zotim i përbashkët për përkrahjen dhe fuqizimin e ndërmjetësimit në Kosovë, si një mekanizëm i rëndësishëm për zgjidhjen paqësore dhe efikase të mosmarrëveshjeve.

Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, znj. Xhelili, theksoi se prania e përfaqësuesve të institucioneve në këtë ngjarje dhe përkrahja e tyre për ndërmjetësimin janë një dëshmi se ndërmjetësimi po merr vendin dhe rëndësinë që meriton në shoqërinë tonë.

Takimi ishte gjithashtu një mundësi për të shkëmbyer përvoja, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të krijuar ura të reja ndërmjet institucioneve, ndërmjetësuesve, profesionistëve dhe partnerëve.

Gjatë Javës së Ndërmjetësimit 2026, Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, me mbështetjen e CSSP – Qendra e Berlinit për Ndërmjetësim Integrues, zhvilloi një sërë aktivitetesh me biznese, nxënës, studentë, komunitete dhe profesionistë, duke e sjellë ndërmjetësimin më afër qytetarëve dhe duke promovuar kulturën e dialogut dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

Faleminderit të gjithë atyre që ishin pjesë e kësaj jave dhe që, përmes angazhimit dhe përkrahjes së tyre, po kontribojnë në fuqizimin e ndërmjetësimit dhe kulturës së dialogut në Kosovë.

Newest

Recent activities